Aksion i madh i Policisë për “goditjen” e grupit kriminal, katër të arrestuar në rajonin e Prishtinës

Në kuadër të luftës kundër krimit dhe korrupsioni, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka zbarkuar gjatë së hënës në disa lokacione në rajonin e Prishtinës, pas identifikimit të një grupi kriminal prej disa anëtarëve që dyshohen të jenë të përfshirë në disa vepra penale.

Gjatë këtij aksioni, janë vënë në prangat e Policisë katër persona që dyshohen për veprimtari kriminale, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Hetimi i nisur që disa muaj ka rezultuar me identifikimin e së paku katër personave të dyshuar si pjesë e këtij grupi, të cilët kanë qenë objekt hetimi nga Drejtoria e për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe ka përfshirë masat të ndryshme në koordinim me Prokurorinë dhe të aprovuara nga Gjykata.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se katër personat e arrestuar gjatë ditës së djeshme dyshohen për kryerjen e disa veprave penale si: Vrasje e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie, privim i kundërligjshëm nga liria, detyrim, posedim i paautorizuar i armëve e vepra të tjera.

Anëtarët e këtij grupi kriminal janë kapur gjatë ditës së djeshme gjatë aksionit të zhvilluar nga Policia në disa lokacione në Rajonin e Prishtinës, në asistim me Njësinë Speciale dhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë.

Përveç arrestimeve, të njëjtat burime thonë se gjatë kontrolleve që janë kryer nga ana e Policisë janë sekuestruar së paku gjashtë armë, dy vetura, disa telefona e mjete të forta, që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.

Katër personat e arrestuar që dyshohen se janë përfshirë në aktivitete të kundërligjshme pas shoqërimit në stacion policor, janë intervistuar dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të merren veprimet e tjera.

Lexo edhe:  Mjegulla shkakton kaos në aeroportin e Prishtinës, anulohen disa fluturime