Aksion i Antidrogës në Viti: Arrestohet një 21-vjeçar që kultivonte kanabis

Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë në Gjilan, i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Viti ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprime të kundërligjshme. I riu që ra në prangat e Policisë dyshohet për kultivim të bimëve narkotikëve.

Siç mëson Sinjali, bastisjet janë kryer në fshatin Skifteraj, ku edhe u prangos i dyshuari 21-vjeçar.

Bazuar në informacionet e para, zyrtarët policorë të Antidrogës pas kontrolleve të kryera kanë arritur t’i gjejnë të dyshuarit disa bimë narkotike.

Kanabisi që dyshohet se është kultivuar nga i dyshuari u gjet në një arë në afërsi të shtëpisë së të dyshuarit.

Njësitë përkatëse të Policisë kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që pa autorizim kultivon bimën e hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotropike, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  35-vjeçarit nga Kosova i bëhet atentat në Hannover të Gjermanisë