Aksidenti i trafikut ‘sebep’, i riu në Podujevë zbulohet se mban armë – i bie revolja në tokë para syve të Policisë

Një aksident trafiku që ndodhi dje në rrugën “Shakadin Behrami” në Podujevë, ku u përfshinë një veturë dhe një motoçikletë, u bë ‘sebep’ që Policia ta zbulojë se njëri nga shoferët në mënyrë të paautorizuar posedon armë.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në orët e pasdites, kur Policia hasi në një aksident trafiku në atë pjesë, ku ishin të përfshira dy automjetet. Derisa Policia po bënte ekzaminimin e vendit të ngjarjes, shoferit të motoçikletës, 22-vjeçar, i ka rënë një armë në tokë, si dhe një thikë.

Kjo bëri që Policia ta kuptojë se ai mban armë pa leje, vepër kjo për të cilën do të hetohet nga Prokuroria.

Ndërkohë ai fillimisht u dërgua në spital për trajtim mjekësor, pas lëndimeve të marra në aksident dhe më pas në stacion policor për t’u deklaruar për armët që iu gjetën.

Burimet thonë se në lidhje me rastin është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti si ‘Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.

Lexo edhe:  Arrestohen katër persona që e rrahen brutalisht një person në Pejë