‘Akademik’ Bahtiri ia konteston kredencialet akademike Enver Hasanit: Është i diskredituar si profesor
Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë një postim goxha qesharak mbrëmë.
Bahtiri, i cili nga kryeparlamentari Glauk Konjufca ishte cilësuar si akademik, është marrë edhe me çështje akademike.
Ai ia ka kontestuar kredencialet akademike profesorit të njohur Enver Hasani, i cili ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Hasani është profesor i diskredituar dhe është vegël e PDK-së.
“Fushata e PDK-së ka filluar! “Gënjeshtra, mashtrime, linçime” – ky do të jetë slogani i tyre! Enver Hasani, i diskredituar si profesor, prej kohësh përdoret si vegël nga PDK-ja për të përhapur gënjeshtra kundër meje. PDK-ja – në panik nga vullneti i qytetarëve (sidomos në Mitrovicë), përdor strategji për të devijuar vëmendjen nga frika që i ka kapluar! Z. Hasani, po ta rikujtoj: Ky ka qenë qëndrimi im publik asokohe për çështjen e ndarjes dhe i tillë është edhe sot, ju e dini mirë por nuk guxoni ta pranoni”, ka shkruar Bahtiri.
Postimit ai ia ka shtuar edhe një video të moçme, ku e akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi për idenë e shkëmbimit të territoreve.