Aeroplani ushtarak amerikan në Aeroport dhe autokolona e përcjellë nga Policia, a erdhi shefi i CIA-s në Prishtinë?

Mesditën e 22 gushtit, një avion i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Bosnje dhe Serbi, është parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Burns po viziton Kosovën.

Mesditën e së enjtes, REL e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” në Aeroportin e Prishtinës.

Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

Po ashtu është parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.

Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.

Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Lexo edhe:  Ishin duke punuar në një shtëpi, bien nga skelet dy punëtorë në Rahovec – njëri përfundon në QKUK

SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi.

Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.