“A po nalesh pak qëtu” – Detaje nga sulmi ndaj Valon Sylës, të dyshuarit ende të lirë

Përfundoi emisionin ku është panelist si çdo natë tjetër dhe bashkë me kolegët e tij u nisën nga magjistralja Prishtinë – Ferizaj, për në qendër të kryeqytetit. Por gazetari dhe opinionisti kosovar, Valon Syla, mbrëmë u përball me një sulm të papritur fizik, i cili dyshohet të lidhet me punën e tij në media.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se tre personat e dyshuar të cilët ende janë të paidentifikuar nga organet e rendit, dyshohet se e kanë përcjellë Sylën deri në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.

Në momentin që Syla bashkë me miqtë e tij, gjithashtu punëtorë të mediave, të dyshuarit e kanë thirrur gazetarin duke i kërkuar që të ndalet.

Tre të dyshuarit më pas kanë shpërthyer në dhunë fizike ndaj gazetarit Syla, duke e lënë atë të gjakosur e me lëndime në kokë. Ata vetë u larguan në drejtim të panjohur me një veturë, e cila sipas raportit të Policisë, ishte me targa vendore.

Si pasojë e dhunës që përjetoi, Syla ka marrë lëndime trupore është dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ku i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Po ashtu janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së personave të dyshuar.

E gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të komenteve të Sylës lidhur me një veturë luksoze të tipit Mercedes, e cila iu bë dhuratë hoxhës nga Prizreni, Mazllam Mazllami.

Se gjithçka lidhet me motive fetare e ka konfirmuar edhe vetë gazetari në një prononcim të shkurtë nga spitali.

Lexo edhe:  Lind fëmija i parë në vitin 2023, Kurti shkon e viziton në spital

Dmth tre islamikë fanatikë më kanë sulmu. Shpejt e shpejt ka ndodhë edhe kanë ikë”, ka thënë Syla.

E kjo nuk është hera e parë që komentet me grupe të caktuara personash, i kushtojnë Sylës me dhunë fizike ndaj tij.

Vite më parë ai ishte sulmuar në qendër të Prishtinës për shkak të komenteve të vazhueshme për mërgimtarët, të cilët i quan ‘gërrnaça’.

Lidhur me këtë kanë reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ata kanë kërkuar hetime lidhur me rastin dhe që autorët të vihen para drejtësisë.

Ndryshe, sipas raportit për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch për vitin 2022, u tha se në Kosovë u regjistruan 22 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë.