Ambasadorët e QUINT-it dalin nga takimi me Kurtin: Nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të Urës se Ibrit
Ambasadorët e Shteteve të QUINT-it sot kanë shkuar në Qeverinë e Kosovës, ku kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Pas përfundimit të takimit, para mediave shkurt është deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier tha se nuk e përkrahin vendimin e Qeverisë për të hapur Urën e Ibrit.
“Shtetet e QUIN-it në konsultim me NATO-n nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statusit të Urës së Ibrit”,deklaroi Hovenier.
Në lidhje me mundësinë për hapjen e urës së Ibrit, kryeministri Kurti deklario ditë më parë se kjo gjë nuk ëshët kundër askujt.
“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media ditë më parë
Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.
“I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.
Ai ka përmendur që para shumë vjetësh, zyrtarë të Bashkimit Evropian i janë referuar hapjes së urës në tërësi për qarkullim si “simbol i normalizimit”.
“Kundër askujt, por për të gjithë”, ka thënë mes tjerash Kurti, kur e ka përmendur nevojën e hapjes së urës.
Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.
Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.
Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.
Kurse dje nga Bashkimi Evropian sërish është thënë se rihapja e urës së Ibrit është çështje e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se çdo veprim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut.
“Bisedimet janë duke vazhduar edhe BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm”,tha dje zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai shtoi poashtu se të gjitha marrëveshjet nga dialogu, përfshirë edhe ato për për urën e Ibrit, duhet të zbatohen plotësisht.