Droga në burgjet e Kosovës: Gjendet kanabis në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, Policia nis hetimet
Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar sërish në një qendër korrektuese dhe këtë herë jo në Dubravë ku raportohen raste më së shumti, por te Qendra e Paraburgimit në Gjilan.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtarët korrektues kanë gjetur një sasi të substancës kanabis në disa rroba që janë kontrolluar nga ana e tyre.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni Policia dhe si rezultat droga është sekuestruar, teksa është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të tij, është iniciuar hetimi në drejtim të veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Kujtojmë se sikleti për të konsumuar drogë po i detyron të burgosurit që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të drogës – raste këto po ashtu që s’kanë qenë të pakta.