Konfirmohet: Zana Spahiu jep dorëheqje nga udhëheqja e RTK-së

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të televizionit publik të Kosovës, Zana Spahiu, ka dhënë dorëheqje.

Lajmi është konfirmuar për Radio Televizionin e Kosovës nga Spahiu. Dorëheqja do të jetë efektive nga 30 korriku, sipas transmetuesit publik.

Dorëheqja e Spahiut vjen disa ditë pasi RTK-ja dhe RTK Live transmetuan një pjesë të një artikulli të portalit boshnjak “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), në të cilin supozohet se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të Vuçiqit.

Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të pushtetit.

Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se ky medium është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.

Lexo edhe:  “Normal që mbyllet, se i kanë pas listat e gatshme”, revoltohen qytetarët pas mbylljes së aplikimit për subvencione