Tentim vrasje në Skenderaj, theren me thikë dy të mitur – dërgohen në QKUK

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike. Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Skenderaj, ku si pasojë e një përleshjeje, dy persona janë therur me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës në QKUK kanë bërë me dije se dy viktimat janë dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që dyshohet se morën nga goditjet me mjet të mprehtë.

Siç mëson Sinjali, viktimat janë të moshës së mitur dhe njëri prej tyre sipas informacioneve të para ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast është identifikuar një person.

I njëjti ndodhet në arrati dhe tashmë Policia është vënë në ndjekje të tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.

Lexo edhe:  Futbollisti kosovar bëhet milioner: E fiton rastin në FIFA, ia merr Antalyasporit 2.2 milionë euro