Kjo është rruga që mori Faton Hajrizi pasi dyshohet se vrau policin serb
Dëshmi të reja po dalin rreth vrasjes së Faton Hajrizit. Mediat serbe kanë publikuar në detaje rrugëtimin e tij pas ikjes nga vendi i ngjarjes, aty ku dyshohet se vrau një polic serb dhe një tjetër e la të plagosur. Sipas mediave atje, Fatoni rrugëtimin e tij deri te vendi ku u vra e bëri me një biçikletë që e kishte marrë në një shtëpi në Lloznicë.
Fatoni ka arritur t’i bëjë deri në 14 kilometra nga bregu i Lipnicës deri në fshatin Trbushnicë, ku policia e lokalizoi dhe më pas e vrau.
Pas vrasjes që dyshohet se e kreu, Fatoni dyshohet se iku në drejtim të panjohur, deri të premten kur edhe ndodhi vrasja e tij.
Mediat serbe kanë përshkruar rrugëtimin që pretendohet se Fatoni mori para se të vritej.
Sipas portalit Nova, nga Lipnicki Sor ai ka ikur në drejtim të Loznicko Polje, një lagje e Lloznicës, ku ka vjedhur një biçikletë nga oborri i një shtëpie.
Ishte kjo që doli të ishte pista kryesore për policinë që më vonë çoi në vendndodhjen e tij. Kamerat e vëzhgimit regjistruan Fatonin duke vjedhur një biçikletë dhe më pas inspektorët dhe policët dolën në kërkim të tij përmes kamerave të vëzhgimit në zonë.
“Loznicko Polje ndodhet shumë afër vendit ku u vranë dhe u plagosën policët. Meqenëse një numër i madh rrugësh të çojnë në Loznicko Polje, nuk ishte e mundur të përcaktohet saktësisht se nga cila rrugë vinte Faton Hajrizi. Pasi është pikasur në kamerën e parë të sigurisë, në bazë të vlerësimit është kontrolluar edhe kamera e dyqanit lokal ku është parë duke ecur drejt qytetit.”
Rruga Drinska ku është parë për herë të fundit të çon në kompaninë “Elektrodistribucija”, në afërsi të së cilës janë kontrolluar kamerat e vëzhgimit dhe është konstatuar se i dyshuari po lëvizte drejt kompleksit të ish-uzinës “Viskozë”.
Pas kësaj, kërkimi është drejtuar drejt kësaj pjese të qytetit, malit të Guçevës dhe qytetit të Banjës Koviljaçë dhe Guçevës.
Po ashtu, pjesa e qytetit ku ndodhet kompleksi “Viscoza” njihet për faktin se aty janë grumbulluar një numër i madh i atyre që kalojnë nëpër Serbi.
Supozohet se para se ta gjenin, Fatoni ka tentuar të arratiset nga Serbia përmes kontrabandistëve dhe grupeve të emigrantëve.
Dëshmia kryesore që çoi në gjetjen e më pas në vrasjen e tij thuhet se është dëshmia e një banori në rrethinën e Lloznicës, para shtëpisë së të cilit Faton Hajrizi u ndal dhe kërkoi shpjegime për rrugën drejt Banja Koviljaça.
Ky banor pasi i dha ujë ka lajmëruar menjëherë policinë dhe kanë kaluar vetëm pak minuta derisa në fshatin Trbushnicë janë shfaqur patrullat e para të policisë.
Kur Faton Hajrizi e ka parë veturën e MPB-së, dyshohet se ka tentuar të ikë dhe ka shtënë në drejtim të veturës së policisë, shkruan mediumi serb.
Nga shkëmbimi me policinë ai mbeti i vrarë.