E rëndë në Çagllavicë: 29-vjeçarja raporton se e abortoi foshnjën shkaku i dhunës nga i fejuari

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë qoftë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre.

Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në Çagllavicë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të fejuarës së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima e ka denoncuar rastin në Polici dhe ka rrëfyer për dhunën dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj saj – sidomos gjatë kohës që ka qenë shtatzënë.

Sipas dëshmisë së saj, si pasojë e dhunës psikike dhe presionit, ajo e ka abortuar foshnjën.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës, me të cilën ka deklaruar se s’ka qenë i fejuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për veprën penale ‘Dhuna në familje’.

Lexo edhe:  Vdes polici i Kosovës që u vetaksidentua para disa javësh me motoçikletë