Mësohet kur do të publikohen rezultatet e “referendumit” të mësimdhënësve për grevën

Edhe pse greva në arsim ka hyrë në javën e pestë të saj, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ende nuk ka një përgjigje konkrete nëse do të pezullohet apo do të vazhdojë greva, kjo pas kërkesës së bërë ditë më parë anëtarësisë së saj.

Reshit Kushaj nga SBASHK-u në një prononcim për Papracin ka thënë se janë duke u konsultuar ende me anëtarësinë dhe janë duke i pritur përgjigjet e tyre, për pezullim apo vazhdim të grevës.

Kushaj ka thënë se kjo do të bëhet e ditur sot, derisa ka thënë se ata do t’i takojnë këshillat grevistë në nivel të komunave për të pranuar përgjigjet dhe idetë e tyre për këtë çështje.

“Ne sot në orën 18:00 (por ende se kemi të saktë) do të takohemi, do t’i përpunojmë të dhënat dhe mandej mbetet në duart e këshillit Grevistë qendror që të japin informacionin për media dhe opinionin. Ata janë që e kanë hap grevën dhe ata janë autoriteti që do të mbyllin grevën”, tha ai.

Ndryshe, po bëhen pesë javë që kur ka hyrë sektori i arsimit në grevë të përgjithshme në Kosovë, ku mbi 300 mijë nxënës janë privuar nga e drejta për arsimim.

Derisa në njërën anë Sindikata e SBASHK-ut po kërkon shtesën prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit për pagat, Qeveria e Kosovës thotë se ka ndarë 50 euro shtesë/ndihmë për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Lexo edhe:  Dosja: Ish-shefi i Specialëve të Policisë së Kosovës për veriun, i përfshirë në grupin e Banjskës