Vrasja e Ruzhdi Shaqirit, Geci para Apelit: Jam gjallë se e kam mbrojtur veten

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, i cili nga Gjykata Themelore në Mitrovicë është shpallur fajtor lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014, në seancën e së enjtes para Gjykatës së Apelit, tha se faji i tij i vetëm është se është gjallë dhe se është gjallë ngase e ka mbrojtur veten.

“Unë mendoj që faji im është pse jam gjallë, unë jam gjallë pse e kam mbrojtë veten, domethënë mbetem në tërësi pranë ankesave të avokatit tim, pranë ankesës time që e kam bo dhe kundër ankesës së prokurorit të Prokurorisë Themelore. Unë mendoj që rasti im ka pasur të bëjë me mbrojtjen e nevojshme. Në Kodin Penal është edhe neni 12, paragrafi 4, mbrojtja e nevojshme në një tronditje të fortë mendore”, tha Gecaj.

I njëjti kërkoi nga trupi gjykues që t’i ketë parasysh ankesat e tij dhe mbrojtjes, sepse pretendon se janë të drejta.

“Do të thotë, të gjitha ato që më kanë ndodhë mua, sikur të ju ndodhte edhe juve gjyqtar, vështirë se do të bënit ballë ose do të duhet të përfundoja unë në Shtime ose të përfundoja këtu ku jam. Jam këtu, faleminderit Zotit që jam këtu dhe i lutem trupit gjykues që t’i ketë parasysh ankesat tona se janë të drejta”, shtoi Gecaj.

Apeli shqyrton ankesat në rastin ku Gani Geci u shpall fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Prishtinë – Gjykata e Apelit, të enjten po i shqyrton ankesat e palëve, në rastin ku ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ishte shpallur fajtor lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.

Lexo edhe:  Shtrirja e prostitucionit nëpër motelet e Mitrovicës, bien në prangat e Policisë 12 persona

Sipas aktgjykimit të shpallur më 4 qershor 2021, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me propozimin që lënda të kthehet në rigjykim ose të ndryshohet sa i përket pikës 1.

Ankesë ka parashtruar edhe i akuzuari Gani Geci dhe avokati i tij, Ndrec Dodaj, me propozimin që Gecaj të lirohet nga vepra penale e vrasjes.

Po ashtu, ankesë ka parashtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sokol Dobruna.

Në seancën e së enjtes, kolegji i Apelit po i shqyrton ankesat e lartpërmendura.

Ndryshe, Gjykatës Themelore në Mitrovicë, iu deshën plot 6 muaj e 3 ditë për të dërguar lëndën në Apel.

Gani Geci akuzohej edhe për veprën e përdorimit të armës. Mirëpo, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për këtë vepër.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Lexo edhe:  Lajmi i hidhur: Vdes veterani i UÇK’së nga Drenica

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.

Sipas aktakuzës, Gani Geci e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.