Sveçla i përgjigjet Faton Hajrizit pasi i tha se s’mund ta arrestojë, Enver Sekiraqën nuk e konsideron të arratisur

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar sërish lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit, cili të shtunën u arratis për të nëntën here. I njëjti mbrëmë, përmes një video të publikuar në TikTok, i dërgoi mesazh Sveçlës duke i thënë se nuk mund ta arrestojë, derisa e quajti edhe “ministër të punëve të kota”.

I pyetur lidhur me këtë video të Hajrizit, Sveçla tha se “Unë s’kapi askënd. Janë institucionet që mirren me ta”, shkruan Reporteri.net.

Përveç Hajrizit, në arrati gjenden edhe Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës dhe Marko Roshiq, i dënuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Atyre u ishte zëvendësuar masa e sigurisë nga mbrojtja në liri në paraburgim por nuk kanë arritur të kapen nga organet e sigurisë.

Mirëpo, Sveçla thotë se këta të dy nuk janë arratisur.

“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur, tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërkuar prej tyre. Policia e kryen punën e vetë, nuk ka najfarë telashe”, ka thënë Sveçla.

Para disa ditësh, Sveçla tha se arrestimi i Hajrizit është “çështje orësh apo ditësh”.

“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, deklaroi Sveçla.

Lexo edhe:  “E mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës”: Ngritet aktakuzë ndaj 64-vjeçares që vrau kunatën e saj në Dragash

Të shtunën e 6 korrikut, pas mesnate, Faton Hajrizi është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë