Konflikt familjar në Lipjan: 28-vjeçari kapet me vëllain dhe ushtron dhunë ndaj tij, intervenon Policia
Konfliktet në familjet kosovare, shpeshherë përfundojnë me kanosje serioze e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë. Përveç rasteve të dhunës mes çifteve, jo rrallëherë përfshihen në raste të tilla edhe anëtarët e tjerë të familjes, raporton Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Babushi i Muhaxherëve në Lipjan, ku një person (28) po dyshohet se ka sulmuar vëllain e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 25-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se vëllai i tij e ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari dhe më pas është shoqëruar në stacion.
I njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë dhe pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’.