Polici e denoncon 25-vjeçarin për ngacmim te tregu i veturave në Prishtinë, zbulohen detajet

Një konflikt i mëhershëm në të cilin ishte përfshirë një zyrtar policor dhe një 25-vjeçar në Prishtinë, dyshohet se e shtyu këtë të fundit të futet sërish në telashe. I riu u denoncua nga polici për ngacmim dhe ndaj tij tashmë është iniciuar rasti.

Siç merr vesh Sinjali, rasti ka ndodhur të dielën te tregu i veturave në Prishtinë, ku zyrtari policor kërkoi ndihmë nga Policia pas ballafaqimit me të dyshuarin.

Në bazë të informacioneve të para, polici ka deklaruar se është ndier i rrezikuar nga i dyshuari, i cili e ka ngacmuar, duke e filmuar po ashtu me telefon.

Si rezultat i denoncimit, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes dhe më pas palët janë shoqëruar në stacion policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari ka dhënë dëshminë për rastin dhe sipas tij, motivi lidhet me mllefin që polici në fjalë vazhdon të jetë pjesë e Policisë së Kosovës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale ‘Ngacmimi’.

Lexo edhe:  Reagon KOK-u: EKF-ja u dorëzua përballë autoriteteve të Qipros