Armë, mbi 100 fishekë, elektroshok e shkop – i riu nga Peja kapet mat nga Policia, dërgohet në mbajtje
Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë, teksa Policia po patrullonte dhe ndaloi për kontroll një veturë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit policor, Policia ka gjetur armë, elektroshok e shkop bejsbolli, që janë sekuestruar si prova materiale – teksa i është bastisur edhe shtëpia, ku janë gjetur mbi 100 fishekë.
Për pasojë, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.