Vdes një i burgosur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën rreth orës 06:18, në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës ka vdekur i burgosuri H.B.

“Ai është pranuar në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë më 17.05.2024, dhe gjatë pranimit është konstatuar se vuante nga sëmundje kronike për të cilat ka qenë nën trajtim. Trajtimi ka vazhduar edhe gjatë kohës së paraburgimit nga mjekët, specialistët konsultantë dhe institucionet e tjera, sipas indikacioneve”, thuhej në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar mbrëmë rreth orës 22:00, dhe është thirrur Emergjenca e qytetit, e cila e ka trajtuar dhe stabilizuar gjendjen e të burgosurit.

“Në mëngjes, gjendja e tij është përkeqësuar përsëri dhe është kërkuar mbështetje nga ekipi i Emergjencës së qytetit. Ky ekip, së bashku me ekipin mjekësor të burgut, janë përpjekur për reanimim, por pa sukses. Në orën 06:18, nga të dy ekipet është konstatuar vdekja e të burgosurit”, thuhej në njoftim.

Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa bazuar në ligjet në fuqi, autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.

Lexo edhe:  KFOR: Brenda protestuesve në Jarinjë ka mundur të ketë grupe të organizuara kriminale