Berisha avokat i të akuzuarit për spiunazh: Nuk ka prova, është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë

Besnik Berisha, avokat i të dyshuarit Bedri Shabani, ka folur sot para gazetarëve pas mbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Berisha ka thënë se në seancën e sotme, Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë rast.

“Përfunduam seancën dëgjimore për dy qytetarë të cilët pandehen për spiunazh ndaj shtetit për interes të Serbisë. Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pat mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkriptt të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Parandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim. Është hetim që ka filluar që 8 muaj, dhe është rezultat që nuk ka prodhuar asgjë, vetëm ka sjellur dy emra familjet e të cilave rrezikohen”, ka thënë avokati Berisha.

Besnik Berisha e ka konfirmuar se Bedri Shabani është dëshmitar i Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Megjithatë, detajet të tjera nuk u bënë të ditura.

“Është histori e njohur, nuk i ikë. Është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë. Nuk është rast konfidencial, sepse nuk do e zbuloja këtu. Ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij. Sipas tij është dëshmitar në Prokurori, nuk e di për cilin rast sepse janë disa raste. Ka refuzu që të kishte masa mbrojtëse”, ka thënë Berisha më tutje.

Berisha ka bërë të ditur se klienti i tij i ka dajtë në Sarajevë, dhe që ka pirë kafe në Shtërpcë. Por, që nuk ka prova se ai merret me spiunazh.

Lexo edhe:  Vdes një burrë në Prishtinë, derisa ishte me vëllain dhe shokun e tij

“Këto nuk lidhen me klientin tonë. Bedri Shabani është prind i kolegut të juaj e kolegut tonë, është prind i gjashtë fëmijëve, qytetar i ndershëm dhe përgjegjshëm. Ka rezultu që t’i ketë dajtë në Sarajevë, e ka rezultu që ka shku nëpër Serbi. Ka rezultu që ka shku me pi kafe në Shtërpcë me komunitetin serb, mbase ndonjë nga ta ka qenë spiun apo i shërbimit, apo kurrë Bedriu nuk ka pasur asi qasje, fakt apo provë që do t’i hynte në punë shërbimit e ta cenonte sigurinë kombëtare. Te Bedriu nuk është gjetur diçka e paligjshme”, ka thënë Besnik Berisha, përcjell Nacionale.

Ai akuzoi Prokurorinë për spektakël.

“Është rasti i parë në historinë e drejtësisë që Prokuroria dorëzon kërkesë për masë paraburgimi dhe nuk e sjell asnjë fjalë apo fjali si fakt inkriminues. Prokuroria ka thënë se këta dyshohen për spiunazh dhe duhet të mbahen në paraburgim se do të ndikojnë në hetim. Prokurori spektakël ka manifestu. I thashë urdhëro nxjerre një fjalë apo fjali që Bedriun e bën spiun, atëherë ky do të kërkojë falje. Prokuroria rastin e Bedriut, ka dështuar, e ky është persekutu”, tha Besnik Berisha.

Më tutje ai bëri të ditur se ka frikë që do të caktohet paraburgimi.

“Nuk e di cilido që të jetë vendimi i gjykatës. Volumi i përgjimeve është e pamundur të analizohen në periudhë të shkurtër. Frika jonë është se do të caktohet masë paraburgimi, por kërkon domosdoshmëria kohore”, ka thënë Berisha.