Gruaja e Radojiçiqit po merret në pyetje nga Policia e Kosovës

Ema Radojiçiq, bashkëshortja e Millan Radojiçiqit, ndodhet në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, raporton agjencia e lajmeve Kosovapress.

Siç raporton KP-ja, ajo e shoqëruar nga avokati i saj, është duke u intervistuar në këto çaste nga hetuesit e Departamentit të krimeve të rënda.

Nuk dihet nëse ajo është paraqitur vetë në polici apo është arrestuar nga organet e vendit.

Ndryshe, Ema Radojiçiq pati ikur nga Kosova menjëherë pas sulmit në Bajnskë, më 24 shtator të vitit të kaluar dhe prej atëherë ka qëndruar në Serbi.

Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiq – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi.

Atje, Prokuroria e Beogradit e ka marrë në pyetje dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për disa vepra, përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, ai tani është në liri, teksa është thënë se atij i janë konfiskuar dokumentet dhe se i ndalohet shkuarja në Kosovë.

Radoiçiq ka hequr dorë prej pozitës që ka pasur në Listën Serbe si nënkryetar dhe, po ashtu, ka hequr dorë prej pronësisë në disa kompani në Serbi.

Autoritetet serbe patën thënë se ai gjendet “në territorin e Serbisë qendrore”.

Lexo edhe:  Ishte zhdukur që një javë, gjendet shëndosh e mirë Gëzim Trakaniqi nga Peja