Cilat janë dënimet për ata që kryejnë spiunazh, sipas Kodit Penal të Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën në Ferizaj dy persona të cilët dyshohen për spiunazh dhe bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Serbisë “BIA”-n.

Siç raportoi gazeta online Reporteri.net, të arrestuarit janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy të nacionalitetit shqiptar.

Që të dy janë arrestuar para orës 12:00 të mërkurën dhe pjesë e aksionit ka qenë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se pas hetimeve disa mujore, të mërkurën në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.

Prokuroria bëri të ditur se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.

Dogana e Kosovës ka reaguar duke bërë të ditur se njëri nga ta, Bedri Shabani është pushuar nga puna 20 vite më parë, saktësisht në fillim të vitit 2004.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, Bedri Shabani është shkarkuar për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.

Tutje në reagim u tha se që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.

Siç u raportua në media, dy të arrestuarit për spiunazh ishin pjesë e agjendës serbe për mohimin e Masakrës së Reçakut dhe sajimin e një “shtëpie të verdhë”.

Lexo edhe:  Rrahu dy gra, arrestohet një burrë në Vushtrri

Bedri Shabani, sipas këtyre informacioneve, ka provuar ta shtrembërojë të vërtetën për Masakrën e Reçakut.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Dënueshmëria minimale  për këtë vepër është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.

Neni 131 thotë:

1. Kushdo që sekretin shtetëror ia komunikon, ia dorëzon apo ia bënë të arritshme shtetit të huaj,organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej pesë (5) deri nëdymbëdhjetë (12) vjet burgim.

2. Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.

3. Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

4. Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

5. Nëse kryerja e veprës penale nga paragrafët 1., 2., 3. ose 4. i këtij neni ka shkaktuar pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet.

6. Nëse vepra penale e saktësuar në paragrafin 1., 2., 3. ose 4. të këtij neni kryhet gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Lexo edhe:  4 policë u suspenduan nga puna për një fotografi me elozhe ndaj tyre që u shpërnda në Facebook për Bajram

7. Për qëllime të këtij kapitulli, “sekret shtetëror” nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.