Detaje të reja nga grabitja në Prishtinë, lëndohet një polic në aksionin për kapjen e të dyshuarit
Sot në mesditë është raportuar për një rast grabitje në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë, me ç’rast i dyshuari ka shtënë me armë zjarri AK-47, raporton Sinjali.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari është Lirigzon Sogujeva recidivist i grabitjeve me armë në vende të ndryshme dhe emër i njohur për Policinë.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia e Kosovës, ku thonë se të dyshuarin e kanë arrestuar në Obiliq dhe se është i plagosur me armë zjarri.
Sinjali mëson se fillimisht i dyshuari ishte përleshur fizikisht me pronarin e këmbimores dhe se gjatë aksionit të policisë për kapjen e të dyshuarit për vjedhje, së paku një zyrtar policor është lënduar dhe se gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur një palë targa që dyshohet se janë vjedhur dhe i përkasin veturës së policisë.
Gjithashtu, gjatë ikjes, i dyshuari me veturën e tij ka dëmtuar dy vetura të policisë, ku ka rrezikuar jetën e policëve. Me rastin po merret edhe IPK.