Fillon në Prishtinë ‘Java e Krenarisë’

Me sloganin ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ ka nisur sot në Prishtinë ‘Java e Krenarisë

Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka uruar ‘Javën e Krenarisë’, siç thotë ajo më shumë atyre që për shkak të stigmës nuk ishin sot aty.

“Me Kushtetutën e Republikës sonë drejtpërdrejtë lartëson të drejtat e njeriut. Kushtetuta frymon mbi parime e barazisë dhe kundër diskriminimit. Andaj këtij mandati si qeveri kemi bërë përpjekje që ta avancojmë atë përmes legjislacionit. Kemi dëgjuar fjalime shqetësuese nga Kuvendi i Kosovës, por siç e kam thënë po e them ne jemi bashkë sepse të drejtat e njeriut nuk negociohen”, tha Haxhiu.

Sipas saj, Kodi Civil na ka treguar që duhet punë e avancim. “Pavarësisht avancimi i të drejtave të komunitetit LGBTIQ mbetet ende sfidë”, tha ministrja Haxhiu.

Kurse Mimoza Kusari Lila, shefe e GP të deputetëve të LVV-së tha se do të donte që Kuvendi i Republikës të ketë kaluar tashmë Kodin Civil.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur në atë pikë jo se është çështje politike por se mungon vullneti njerëzor. Flasim për një të drejtë elementare jetësore, të drejtën për tiu treguar të tjerëve ngjyrat e bukura të dashurisë.  Në këtë frymë të ngjyrave të ylberit dua t’ju them se e keni mbështetjen tonë. Një shoqëri që ka kaluar nëpër margjina e shkelje të të drejtave do të duhej të ishte për të drejtat e të gjithëve”, tha ajo.

Kurse Habit Hajredini, drejtor i Zyrës së Kryeministrit për Qeverisje të Mirë, tha se janë duke punuar me të gjithë akterët për të drejtat e të gjithëve pa diskriminim.

“E kemi përgatitur dokumentin për komunitetin LGBTIQ+ që ka të bëjë me adresimin e të drejtave të komunitetit, shërbimet shëndetësore. Do të bashkëpunojmë me shoqëritë civile. Si Zyrë për Qeverisje të mirë po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshi Zyrën e BE-së, për parandalim të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Jemi duke punuar ngushtë edhe për strehimoren për personat LGBTIQ+”, tha ai.

Lexo edhe:  “20 mijë eurot e mija ose të vras: 43-vjeçari në Prishtinë kërcënon borxhliun, kapet në flagrancë nga Policia

Ndryshe ‘Prishtina Pride’, këtë vit shënon edicionin e tetë të Javës së Krenarisë në Kosovë. Java e Krenarisë, qysh prej edicionit historik të parë, i vë në hartë të gjithë individë LGBTIQ+ që avokojnë çdo ditë për barazi dhe gjithëpërfshirje.

Kjo javë është një tjetër shpërfaqje e identiteve të cilat për vite e vite janë shtypur e kanë mbetur në hije, duke mos qenë asnjëherë në habitatin e tyre, edhe në këtë edicion të tetë kjo javë mbetet pasaporta kryesore e individëve LGBTIQ+ në Kosovë.

Prishtina Pride përmes slloganit “Kemi qenë dhe do t’jemi” në këtë edicion duan të përçojnë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfida të ndryshme si pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Për të shënuar këtë jave do te këtë aktivitete të shumta si shfaqje e koncerte te ndryshme.