Plaçkitet një shtëpi në Graçanicë – vidhen mbi 10 mijë euro para të gatshme, 30 mijë euro stoli dhe 11 orë dore

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje..

Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe familja Jusufi nga Graçanica, ku hajnat kanë hyrë brenda shtëpisë së tyre me forcë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pronari i shtëpisë ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi e ka zbuluar se hajnat kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari.

Bazuar në dëshminë e tij, të dyshuarit kanë arritur që të vjedhin mbi 10 mijë euro para të gatshme, rreth 30 mijë euro stoli ari dhe 11 orë dore që kapin vlerën e mijëra eurove.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar – rast për të cilin ka informuar edhe Policia.

“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se persona të pa njohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur stoli ari, para dhe 11 ora dore. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Rreziku nga infeksionet, paralajmërohen masa ndaj punëtoreve shëndetësore që mbajnë thonjë artificialë