Familja Mikullovci ia rregullon varrin Ademit, ikonës së aktrimit kosovar

“Midis lotësh, kujtimi për ty do të jetë përherë si bashkëshort, baba shembull, aktor e deputet”. Këto  janë fjalët e shkruara me shumë dashuri, pranë varrit të aktorit të njohur Adem Mikullovci.

Katër vjet pas vdekjes së tij, familja e aktorit Adem Mikullovci gruaja dhe djali, kanë rregulluar varrin e ikonës së aktrimit kosovar.

Bashkëshortja e tij Lumnije Mikullovci, teksa kujton bashkëshortin e ndjerë, tregon se ndihet mirë që ajo së bashku me djalin e saj,  kanë rregulluar varrin, në të cilin prehet më i dashuri i tyre.

Edhe pse ka një dhimbje të madhe dhe i ruan të freskëta kujtimet për të, thotë se ndihet mirë që tashmë varri i tij ka një pamje krejtësisht tjetër,  të dinjitetshme, ashtu siç ishte vet ai dhe ashtu siç e meriton një fugurë si Adem Mikullovci.

Megjithëse  interesim për rregullimin e varrit kishin shprehur shumë donatorë dhe Ministria e Kulturës,  familja Mikullovci kishte refuzuar. Bashkëshortja e Ademit, Lumnija thotë se i ka refuzuar ofertat për ndërtimin e varrit të ish- bashkëshorit të saj, pasi që ka konsideruar se ai e ka merituar që këtë të ta bëjë familja e tij, për të cilën është kujdesur e sakrifikuar tërë jetën.

“Varrin e kemi bërë djali dhe unë, e jo donatorët e as Ministria e Kulturës, pasi që të gjithë i kam refuzuar. Ai e ka merituar që këtë ta bëjë familja”, thotë ajo.

Megjithëse për këtë e kishte refuzuar Ministrinë e Kulturës e donatorë të shumtë, Lumnije Mikullovci thotë se i ka thënë ministrit të Kulturës Hajrullah Çekut se në shenjë respekti për jetën dhe veprën e  tij, ata mund ta emërojnë  ndonjë rrugë apo obelisk,  pasi që ka qenë ndër aktorët e parë në vend. Thotë se ministri është pajtuar me këtë propozim, por se nuk e di se a do ta mbajë fjalën.

Lexo edhe:  Policia: S’ka policë të plagosur në veri, mos bini pre e lajmeve të rreme

“Ministrit i thash se ju mund ta emëroni ndonjë rrugë, ose një obelisk me emra të aktorëve të cilët kanë qenë themelues. U pajtua, por nuk e di a do ta mbajë fjalën”, thotë Mikullovci.

Teksa  qëndron pranë varrit të ish- bashkëshortit të saj, i cili ka marrë një pamje krejtësisht tjetër, dinjitoze ashtu siç ishte dhe vet Adem Mikullovci, bashkëshortja e tij Lumnija mes dhimbjesh për mungesën e tij, tregonte me krenari foton e cila qëndronte pranë varrit, me të cilin dukej sikur  fliste vërtetë.