Funksionari i AAK-së, Shkodran Pulaj, i dyshuar për dhunimin e një të mituri mbetet në paraburgim edhe për dy muaj
Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Shkodran Pulajt, i cili po dyshohet për dhunimin e një të mituri, rast ky që u zbulua gjatë hetimit për rastin e drogës.
Pulaj do të qëndrojë në paraburgim deri më 12 korrik, ka bërë të ditur gjykata.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe qëndrojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, pasi hetimet në këtë çështje penale janë në vazhdim e sipër.
Emri i Shkodran Pulajt, i cili dikur njihej si i paprekshmi i Prizrenit që shoqërohej me zyrtarë policorë, është rikthyer sërish në ‘skenë’ qe disa muaj.
Pulaj e kishte krahun e fortë dhe miqësia e tij e kishte shpëtuar nga arrestimi deri më 4 shtator 2023 kur përfundoi në pranga për drogë.
Hetimi ndaj tij për shitblerje të narkotikëve u bë ‘sebep’ të ngriten dyshime edhe për veprën penale “Dhunimi”.