Ky është polici 28-vjeçar që u ekzekutua me një plumb në kokë sot në Fier

Personi që shihni në foto, është Novruz Cenalia, efektivi 28-vjeçar i cili mbeti i vrarë me armë zjarri këtë të hënë në Fier.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Baltëz, teksa i riu Cenalia po shkonte për në punë.

Ai ishte efektiv i repartit “Shqiponja”.

Sipas policisë, shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një sherr mes autorit të identifikuar si Asllan (Azgan) Mernica dhe viktimës, Novruz Cenalia.

Policia njoftoi zyrtarisht se shtetasi Asllan (Azgan) Mernica, pas një konflikti të çastit, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cefalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.

Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, burime bëjnë me dije se në bashkëpunim me FNSH, është ngritur një pikë kontrolli në hyrje të autostradës Vlorë-Fier.

Mësohet se ka dyshime se autori, mund të jetë larguar nga vendi i ngjarjes në drejt Vlorës, me një mjet tip “Audi” ngjyrë blu.

Policia është duke kontrolluar të gjitha automjetet që futen në qytetin e Vlorës.

Lexo edhe:  S’jetojnë bashkë por takohen për t’u rrahur, burrë e grua përfundojnë në Polici