Gruaja në Podujevë denoncon burrin për dhunë fizike, Prokurori e liron të dyshuarin

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, pas një përplasje verbale. Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka dhënë detaje për dhunën që ka përjetuar nga burri i saj.

Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmë nga Policia dhe si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit. Burimet nga Prokuroria thonë se në dëshminë e tij, i dyshuari e ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Kjo siç duket nuk e ka bindur Prokurorin e Shtetit që të lëshojë aktvendim për ndalim policor, por ka vendosur që ta hetojë të dyshuarin në procedurë të rregullt, për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Sulmohet seksualisht një grua në Podujevë, arrestohet i dyshuari