Gruaja e denoncon bashkëshortin për dhunë fizike, Prokurori e liron

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Një rast i tillë ka ndodhur sot në mëngjes në Veternik të Prishtinës, ku një burrë i denoncuar për dhunë është liruar nga Prokuroria.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti është raportuar nga viktima, e cila e ka raportuar bashkëshortin për dhunën fizike që ka ushtruar ndaj saj.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, ku i dyshuari e ka goditur gruan dhe më pas e ka ofenduar.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.

Lexo edhe:  Osmani: Serbia ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për mbrojtjen e lirisë, NATO është me ne