KFOR-i, EULEX-i e PK nesër me stërvitje të përbashkët, Ulutas: Demonstrojmë gatishmërinë për ta ruajtur stabilitetin rajonal

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do ta zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në Kampin Vrelo, të quajtur “Golden Sabre 2024″.

Stërvitja do të nisë nesër.

“Ky ushtrim do t’i testojë aftësinë tonë për të zbatuar procedura të përbashkëta të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm sigurie. Ai do të përfshijë një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e tij dhe përgjatë rrugëve kryesore fqinje”, njofton KFOR-i.

“Golden Sabre 2024” është pasqyrim i bashkëpunimit dhe përkushtimit të gjatë të KFOR-it për ta mbështetur sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve, thotë misioni maqeruajtës i NATO-s.

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas thotë se kjo stërvitje simbolizon përkushtimin e këtij misioni për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe do të demonstrojë gatishmërinë për ta ruajtur stabilitetin rajonal.

“Kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin tonë të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Duke bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për të adresuar sfidat dhe përkushtimin tonë për ta ruajtur stabilitetin rajonal. Ne presim përfundimin me sukses të këtij ushtrimi dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes të gjithë të përfshirëve”, tha komandanti i KFOR-it.

KFOR-i në fund thekson si zakonisht se vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët veprojnë respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë”, thotë misioni paqeruajtës i NATO-s.

Lexo edhe:  Policia jep detaje për vdekjen e 5-vjeçarit në Vushtrri