Ky është polici që po dyshohet se kanosi kolegun e tij që intervenoi në rastin ku u përfshi

U raportua sot për një rast ku po dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor në Ferizaj mbrëmë pas mesnatës, në restorantin “Adriatiku” në Ferizaj. Polici po dyshohet se edhe e ka kanosur njërin nga kolegët e tij që intervenuan pas denoncimit të incidentit, teksa akoma s’dihet se cilat veprime janë ndërmarrë ndaj tij.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se zyrtari policor i dyshuar për këtë rast është Qamil Hamza, 23-vjeçar.

Siç merr vesh Sinjali, pasi rasti u denoncua, njësitë policore zbarkuan në vendin e ngjarjes, ku ndodhej edhe zyrtari policor i dyshuar dhe dy persona të tjerë.

Sipas informacioneve të para, polici dyshohet se ka vringëlluar armën e madje edhe e ka kanosur njërin nga zyrtarët policorë që ndërhynë për ta vënë situatën nën kontroll.

Për incidentin në fjalë, Sinjali ka kontaktuar me pronarin e lokalit ku intervenoi Policia, i cili ka dhënë disa detaje.

“Ish konë polici aty…ishin konë pak me alkool, kanë ardhë aty…Na jemi konë në Polici, më pyetën, iu thash se s’di çka ka ndodhë. Kishin bo zhurmë…ish konë i pijavt, ish konë me babë t’vetin. Unë s’kom qenë aty..s’di çka kanë bo.. Me neve problem s’kanë pasë..”– tha ai shkurt, duke shtuar se në lokal nuk ka kamera të sigurisë që mund ta dëshmojnë se çfarë ka ndodhur.

Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast mes tjerash është kontrolluar vetura e zyrtarit policor, ku është gjetur arma zyrtare me karikator, si dhe rreth 20 fishekë që dyshohet se i mbante ilegalisht.

Lidhur me rastin, të njëjtat burime kanë bërë me dije se është vënë në dijeni Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit.

Lexo edhe:  Vetura godet këmbësorin, 56-vjeçari dërgohet në QKUK – arrestohet shoferi