Tmerrohet i riu nga Ferizaj, të zhveshur e keqtrajtojnë në mal dhe ia marrin paratë: Me na përmend, ta mys nanën
Rrëmbimet, detyrimet e maltretimet janë ndër rastet mjaft të frikshme që cenojnë sigurinë publike pasi po ndodhiN në pikë të ditës, kur rrugët janë të mbushura me qytetarë. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku një i ri u keqtrajtua nga disa persona.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e paradites të së martës, kur viktima ishte ndaluar nga tre persona, të cilët e detyruan të futej me forcë në veturën e tij dhe më pas e dërguan diku në një mal. Atje, përveç që u sulmua fizikisht, edhe u kërcënua nga të dyshuarit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky është rrëfimi i tij, i dhënë para hetuesve policorë, ku i shqetësuar ka treguar se si të dyshuarit e zhveshën, ia morën paratë dhe e keqtrajtuan duke e rrahur.
Për motive ende të panjohura, ata dyshohet se e mbajtën të riun për disa orë dhe më pas e lanë diku në një rrugë, por me një paralajmërim. Të dyshuarit, Sinjali mëson se kishin disa fjalë për viktimën, në rast se i denoncon. “Me na i përmend emrat, nanën kam me ta mbytë”, dyshohet t’i ketë thënë njëri, thonë burimet e Sinjalit.
Përballë kësaj situate, viktima kishte vendosur ta denoncojë rastin në Polici dhe të kërkojë ndihmë para se t’i ndodhë diçka edhe më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Detyrim” dhe kanë nisur hetimet për kapjen e personave të dyshuar. / Gazeta Sinjali