Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile në Gjakovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit J.SH, i dyshuar se ka marr pjesë në kryerjen e veprës penale Krim i luftës kundër popullatës civile në bashkëkryerje.

Kështu bën të ditur vetë gjykata me anë të një njoftimi në faqen zyrtare të tyre.

Sipas njoftimit, gjykata vlerëson se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit.

“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, respektivisht përpos dyshimit të bazuar në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, si kusht për caktimin e paraburgimit, i njëjti lehtë mund të arratiset dhe t’i shmanget ndjekjes penale, pasi kemi të bëjmë me një vepër penale të rëndë e komplekse dhe rreziku real i shmangies nga ndjekja penale e të pandehurit J.SH është më se evidente”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, dje (27 prill), Prokuroria Speciale bëri të ditur se ka arrestuar një serb në pikën kufitare në Bërnjak, i cili dyshohet për “krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë , J.SH. dyshohet se gjatë viteve 1998-99 ka kryer krime lufte në Komunën e Gjakovës.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Itali, humb jetën 23-vjeçari shqiptar