Ky është i dyshuari që kërcënoi gjyqtarin, prokurorin dhe policët në Fushë Kosovë, ndalohet për 48 orë
Jo rrallëherë ka pasur incidente në gjykatat e vendit, qoftë para ose pas seancave apo edhe gjatë zhvillimit të tyre. Palët që marrin pjesë në seanca shpesh përfshihen në konflikte verbale për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Fushë Kosovë.
I dyshuari u arrestua pasi dyshohet se gjatë një seance të mbajtur gjatë ditës së djeshme kishte fyer dhe kanosur gjyqtarin, prokurorin dhe zyrtarët policorë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Alush Bërbatovci, i cili ka përfunduar në ndalim policor.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se me urdhër të prokurorit është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
“Lidhur me rastin me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.