Konflikt familjar në Gjakovë: Burri ushtron dhunë ndaj gruas dhe djalit, përfundon në pranga

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjakovë, ku kryefamiljari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij.

Sinjali mëson se si pasojë e presionit dhe kanosjeve, gruaja bashkë me të birin kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  E rëndë në Durrës, 25-vjeçarja i jep fund jetës