Policia bastis shtëpinë dhe objektet e pronarit të ‘Al Trade’, dyshohet për marrje ryshfeti

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës kompetente është duke zhvilluar një aksion në kuadër të hetimeve të rastit ‘Brezovica’, ku po bastisen disa lokacione në lagjet e njohura të Prishtinës.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se bastisje është kryer edhe në lagjen Universiteti në kryeqytet, konkretisht në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të pronarit të kompanisë ‘Al Trade’, Bajram Gashanit.

Sinjali mëson se kontrolli po kryhet nën dyshimet e kryerjes së veprës penale ‘Marrje ryshfetit në ndihmë’, ‘Ushtrimi i ndikimit’, ‘Fajdeja’ dhe ‘Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.

Ndërkohë aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se po vazhdon operacioni policor ‘Brezovica 6’.

“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura pas përfundimit”, tha Kelani.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Këta janë dy personat që u rrahën në një kafeteri në Mitrovicë, njëri pëson gjakderdhje në tru