Kosovari bie në kurth pasi shkoi në motel, 3 persona i futen në dhomë dhe e rrahin brutalisht

Një rast jo fort i zakontë po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një 31-vjeçari, i cili dyshohet se ra në kurthin e një grupi prej disa personash. Me sulm e vjedhje, ai u përballë mëngjesin e 14 marsit, në një motel në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ky rast, për të cilin katër persona kanë përfunduar në Polici, tre prej të cilëve tashmë ndodhen në ndalim policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është raportuar para dy ditësh nga viktima, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë për incidentin që i ndodhi të dielën.

Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve policorë, i riu ka rrëfyer se gjithçka nisi pasi shkoi në motelin “Villa – Motel Hilton” me një vajzë 28-vjeçare, ku qëndruan bashkë për një kohë jo fort të gjatë.

Gjatë kësaj periudhe, në dhomën ku ata ndodheshin, u futën tre persona, të cilët e zunë viktimën në gjumë dhe filluan ta sulmonin, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Për motive akoma të panjohura, i riu u rrah brutalisht nga të dyshuarit, që sipas informacioneve të para e kishin planifikuar gjithë kurthin dhe në të dyshohet se është përfshirë edhe vajza me të cilën qëndroi viktima.

Sipas deklaratës së 31-vjeçarit, grupi i dyshuar edhe ka kryer vjedhje, për çka ka dhënë detajet e tjera në Polici.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur që të arrestojë personat e dyshuar, të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tre të dyshuarve për sulm dhe vjedhje, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Lexo edhe:  "Korrili" i shkollës në Malishevë sulmon seksualisht një nxënëse