Këta janë dy të dyshuarit që u kapën me mbi 20 qese me drogë në Kamenicë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Kamenicë, ku janë arrestuar dy persona që dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit që përfunduan në ndalim policor lidhur me këtë rast janë Rinor Demi dhe Dionit Demaj.

Pas kontrollit të dy të rinjve, zyrtarët policorë kanë gjetur mbi 20 qese me substancë narkotike, të llojit marihuanë, që dyshohet se ishte përgatitur për shitje.

Droga është sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Aksident me vdekje në Durrës, makina përplas të moshuarin