Mërgimtarja nga Gjermania kërcënon burrin e saj në Kosovë pasi vendosën të ndahen, ai lyp ndihmë në polici
Rastet e dhunës në familje janë të shpeshta në vendin tonë, por rrallë ndodh që viktima të jenë burrat, pasi që zakonisht dhunën e denoncojnë gratë. Një ngjarje e tillë është raportuar nga një burrë në Krushë të Madhe të Rahovecit, i cili e ka denoncuar gruan e tij, me të cilën është në proces të ndarjes.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se telashet kanë nisur pasi çifti që nuk jetojnë në të njëjtin vend, mori vendim për t’u divorcuar, për motive ende të panjohura. Gruaja, e cila jeton në Gjermani dyshohet se ka kanosur burrin e saj që jeton në Kosovë, përmes mesazheve në telefon.
Në dëshminë e viktimës thuhet se ai dhe gruaja kanë një fëmijë bashkë, por kanë pasur probleme prej kur janë martuar para dy vitesh.
Përballë kësaj situate, ai ka vendosur ta denoncojë rastin dhe të kërkojë ndihmë nga Policia. Si rezultat, zyrtarët policorë kanë siguruar mesazhet e gruas si prova për rastin, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj të dyshuarës.
Gruaja e dyshuar është shpallur në kërkim policor dhe përveç rastit për dhunë në familje, do të hetohet edhe për “Kanosje”.