Parashikohet se Kosovës do t’i liberalizohen vizat në fund të vitit 2022

Qëndrimi i Holandës, një prej vendeve anëtare të BE-së që është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, ngadalë po ndryshon, thonë analistët e Institutit holandez Clingendael, të cilët mendojnë se Kosova mund të marrë liberalizimin e vizave deri në fund të vitit 2022.

Qëndrimi i Holandës rreth liberalizimit të vizave për Kosovë po ndryshon dhe në bazë të parashikimeve të analistëve të institutit holandez Clingendael, Kosova mund ta përfitojë vendimin për liberalizim vizash rreth fundit të vitit 2022.

Në një analizë të publikuar me titull “Pozicioni holandez për procesin e liberalizimit të vizave të BE-së për Kosovën. Drita në fund të tunelit?”, këshillon Kosovën që të vazhdojë reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të vazhdojë të zbatojë dhe raportojë për kriteret kryesore për liberalizimin e vizave.

“Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ende liberalizim të vizave nga BE, që do të lejonte qytetarët e saj të udhëtonin lirshëm në BE për 90 ditë”, thuhet në shënimin e institutit.

Sipas institutit, narrativa e Holandës është duke ndryshuar gradualisht mes krijuesve të politikave, politikanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

“Liberalizimi i vizave mund të vije rreth fundit të vitit 2022”, thuhet në analizë.

Instituti këshillon Holandën që të vazhdojë të monitorojë në mënyrë kritike reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe kriteret për liberalizimin e vizave në Kosovë, si dhe qëndrueshmërinë e tyre në afat të gjatë.

Lexo edhe:  Edhe një mjeke lëshon Kosovën, kjo është letra emocionuese e saj