Rohde viziton shtëpinë muze në Poklek, ku serbët kryen një ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, vizitoi sot Shtëpinë Muze në fshatin Poklek në Komunën e Drenasit, një vend i ngarkuar me historinë e dhimbshme të luftës në Kosovë.

Gjatë vizitës, ambasadorin Rohde e priti Fadil Muqolli, të cilit forcat serbe gjatë luftës ia vranë të gjithë familjen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Muqolli ndau përshtypjet nga vizita e ambasadorit.

“Sot në Poklek, tek Shtëpia Muze, prita në vizitë Ambasadorin gjerman Jörn Rohde, i shoqëruar nga Xhavit, Arbeni dhe Arbëri nga Drenasi. Vizita e tyre shërben si një dëshmi për rëndësinë e vazhdueshme të ruajtjes së të kaluarës sonë të trishtë”.

Muqolli theksoi se kjo ishte vizita e parë e ambasadorit Rohde në Poklek, gjatë së cilës ambasadori shprehu ndjenjat e tij të thella të trishtimit për ngjarjet e ndodhura më 17 prill 1999.

Ai po ashtu shprehu keqardhjen për mosndjekjen e autorëve të kësaj masakre nga organet përkatëse, një ndjenjë që ndanë edhe familjarët e viktimave.

Kjo vizitë simbolizon jo vetëm përkujtimin e viktimave, por edhe rëndësinë e përkujtimit të së kaluarës si një mënyrë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duke theksuar nevojën për drejtësi dhe pajtim.

Lexo edhe:  Osmani tregon pse e veshi sot uniformën ushtarake