Pejani i dehur ndjek dhe kërcënon Policinë, përfundon në ndalim policor
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
E një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Onufri’ në Pejë, ku një 35-vjeçar ka kërcënuar zyrtarët policorë të cilët po patrullonin në afërsi të një kafeneje.
Posa ka dalë nga lokali, 35-vjeçari i është afruar veturës zyrtare të Policisë dhe ka penguar policin që të hap derën e veturës e më pas është vënë në ndjekje të tyre duke i kërcënuar.
Ai është kapur nga Policia dhe është arrestuar, ku pasi iu nënshtrua testit të alkoolit rezultoi në gjendje të dehur.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.