Shqetësuese: 320 raste të reja me kancer vetëm brenda dy muajve

320 raste të reja me kancer janë regjistruar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë, ka bërë të ditur drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

Kurtishi ka thënë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë te gratë, te burrat është ai i mushkërive.

Kurtishi ka bërë të ditur se numri i rasteve të reja me kancer është në rritje, derisa ka shtuar se pritet që në fillim të muajit maj të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

“Viti 2024 për janar-shkurt në Klinikën e Onkologjisë janë regjistruar 320 pacientë me kancer të llojeve të ndryshme, dominon prapë si vitin e kaluar me kancerin e gjirit dhe është një numër më i madh se i viteve paraprake dhe njëjtë të meshkujt dominon kanceri i mushkërive kurse menjëherë pas këtyre dy grupeve janë tumoret e zorrës së trashë dhe tumoret malinjë të organeve gjenitale të femrave. Mosha akoma dominon mbi 50 vjet, pra numri i pacientëve është mbi moshën 50 vjeçare, ajo që është problematike në Kosovë dhe vazhdon të mbetet është se kemi raste nën moshën 50 vjeçare ku sëmundja është me stade të avancuara dhe kur pacientët lajmërohen vonë për ta marrë trajtimin adekuat”, ka deklaruar Kurtishi.

Ai ka treguar se në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, duke thënë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

“Sipas punëkryesit, ai gati është në përfundim të punëve të veta në afat rekord, afat më të shpejtë se sa është planifikuar dhe klinika sipas MSH-së dhe ShSKUK-së, pra sipas udhëheqësve të projektit do të jetë gati në fillim të muajit maj dhe jemi në procedura të furnizimit të klinikës ose pajisjes me inventar ose pjesë tjera përcjellëse dhe mendoj që sapo të sillen këto pajisje këto pjesë përbërëse e klinikës ose inventar do jetë një klinikë shumë e mirë me hapësira të reja dhe ne kemi dyfishuar kapacitetet e klinikës pra nga 45 shtretër do të kemi rreth 100 shtretër me të cilët pacientët do të marrin shërbime onkologjike gjatë 24 orëve dhe kjo do ta lehtësojë shumë punën sidomos stafit të klinikës por në të njëjtën kohë më e përshtatshme për marrjen e terapisë edhe për pacientët”, ka vijuar ai./eo/

Lexo edhe:  ‘Në kohën e Thaçit kurrë su nal rryma në Skënderaj’, Drenicasi i përbetuar se kurrë s’do ta votojë Albin Kurtin