Policia bastis dy shtëpi në Cermjan të Gjakovës, sekuestrohen armë

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme, raporton Gazeta Sinjali.

Policia në Gjakovë ka njoftuar se ka kryer kontrolle në dy lokacione, që kanë rezultuar me sekuestrimin e disa armëve.

Bastisjet janë zhvilluar në fshatin Cermjan në Gjakovë, ku janë gjetur armët në vendbanimet e të dyshuarve.

“Me datën 29.03.2024, në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, Stacioni Policor në Gjakovë, ka kryer kontrolle në dy lokacione, në vendbanimet e dy të dyshuarve (meshkuj, kosovarë të moshës madhore), në fshatin Cermjan në Gjakovë.

Gjatë kontrollit në posedim të njërit prej tyre, është gjetur një armë zjarri automatike dhe një pistoletë me tetëmbëdhjetë (18) fishekë, ndërsa në vendbanimin e të dyshuarit tjetër, është gjetur një armë zjarri e gjatë dhe tre copë fishekë.

Armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Veprimet hetimore ndaj këtij rasti, do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.“

Lexo edhe:  Ndalesa e produkteve serbe në Kosovë i kushtoi Serbisë 150 milionë euro dëme