Nagavci fton sërish mësuesit të kthehen në shkollë: Do ta keni koeficientin më të lartë të pagave
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se me Projektligjin e ri për Paga, punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.
Sipas saj, në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj.
Ajo shtoi se punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar.
“Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit. Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik. Ky Projektligj ofron shumë më shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit”, shkroi ajo në Facebook.
E para e Arsimit ftoi të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, “që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat”.
“Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”, përfundoi Nagaci.