Rahovecasi rrah vajzën, i kërkon të deklarohet rrejshëm për të marrë pasurinë e burrit të saj të ndjerë
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima kryesisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga burrat, baballarët, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes.
Një ngjarje e tillë, por jo fort e zakontë ka ndodhur së fundmi në Rahovec, ku në një familje ka plasur një konflikt, ku janë përfshirë babë e bijë.
Siç mëson Sinjali, një 55-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij 32-vjeçare, si pasojë e debateve që kanë pasur mes vete.
Në bazë të informacioneve të para, motivi i rastit dyshohet të jenë mosmarrëveshjet që kanë lindur pasi babai ka kërkuar nga e bija që të deklarohet rrejshëm në Polici për vdekjen e burri të saj, me synimin që të përvetësojë pasurinë e tij.
Kjo situatë ka shkaktuar përplasje mes tyre, që kanë eskaluar deri në dhunë fizike, ku për pasojë vajza ka pësuar lëndime trupore, për թka ka marrë trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse vajza e tij është dërguar në strehimore bashkë me fëmijët e saj.