‘Puna e shtetit’/ Mbi 3 mijë aplikues për 50 pozita në MPB, ankesa se disa kandidatë i morën përgjigjet e sakta në telefona

Në konkursin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për punësimin e 50 personave si zyrtarë administrativë, nëpunës administrativ dhe mbështetës, kanë aplikuar mbi 3300 qytetarë. Atyre nuk iu është kërkuar as diploma e fakultetit e as përvoja e punës. Ky konkurs ka nxitur reagime te sinjalizuesit, të cilët pretendojnë se konkursi është ‘gatuar’ për persona të caktuar. Por siç duket kandidatët që kanë aplikuar janë ballafaquar me një situatë tjetër.

Nga dorëzimi i dokumenteve e në intervistë, pa njoftim paraprak atyre iu është shtuar edhe testi me shkrim, thotë një sinjalizues i Sinjalit. Për 50 pozita kanë aplikuar 3 mijë e 335 persona për shtatë rajone, edhe pse në konkurs nuk është e cekur se sa pozita po kërkohen për secilën qendër. Rrjedhimisht, të gjithë ata që kanë aplikuar dhe do t’i kalojnë testet, nuk dihet se në cilën qendër do të punojnë.

Testi me shkrim është bërë në ditën kur kanë dalë listat dhe pa njoftim që do të mbahet edhe ky test, ka thënë në kushte anonimiteti për Sinjalin njëri nga aplikuesit.

“Kjo është bërë pa dijeninë e aplikuesve, në ditën kur janë publikuar listat, jemi njoftuar që ka me u mbajt test me shkrim. Kohë kemi pasur 3 ditë dhe nuk kemi pasur asnjë material apo doracak që të orientohemi”.

Madje sipas sinjalizuesit, gjatë testimit me shkrim disa kandidatë i kanë përdorur telefonat, duke prtenduar se i kanë marrë përgjigjet.

“Ka pasur edhe përdorim të telefonit prej disa kandidatëve, të cilët i kanë marrë përgjigjet e sakta gjatë testimit. Telefonat nuk janë dorëzu në hyrje por i kemi mbajt”, vazhdoi tutje ai.

Në kushtet e vendosura nga ministria thuhet se për t’u pranuar në këtë pozitë kërkohet një diplomë e shkollës së mesme, nuk kërkohet përvoja e punës, por që duhet të kenë shkathtësitë kompjuterike në Word, Excel, Power Point. Po ashtu edhe disa ‘Kërkesa (Njohuri, Aftësi dhe Cilësitë) të përgjithshme të nevojshme’ që MPB po i kërkon.

Lexo edhe:  Komandant Remi ftohet për të dëshmuar në Hagë

Aty thuhet se kërkohen njohuritë bazike sipas fushë të arsimit përkatës; njohuri lidhur me procedurat standarde administrative/teknike në një fushë të caktuar; aftësi për të punuar në kuadër të planeve dhe procedurave të përcaktuara; njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës (me shkrim dhe me gojë) është e domosdoshme.

Paga e 50 personave që do të punësohen do të jetë 423.85 euro (Bruto), ndërkohë periudha e Kontratës me afat të caktuar, prej një viti.