Dyshohet se e ngujoi dhe rrahu një vajzë, bie në pranga 36-vjeçari në Prishtinë

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë qoftë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit.

Në mesin e viktimave, është edhe një vajzë 19-vjeçare në Prishtinë, e cila ka raportuar në Polici se një person e ka mbajtur të mbyllur dhe në të njëjtën kohë ka përjetuar dhunë fizike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se vajza ka pësuar lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në banesën ku dyshohet se u ngujua viktima.

Po ashtu, është arritur që të arrestohet i dyshuari, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 36-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor. Ai do të hetohet për dy veprat penale ‘Privim i kundërligjshëm i lirisë’ dhe ‘Lëndim trupor’.

Lexo edhe:  “S’je burrë po të la gruaja”, psikologia shqiptare shpjegon pse burrat s’e pranojnë divorcin