E tmerrshme: Pejani denoncohet se dhunoi fizikisht dhe seksualisht ish të dashurën
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë, të cilat në plot raste keqpërdoren seksualisht edhe nga partnerët e tyre ose ata me të cilët kanë pasur raporte të afërta, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e trishtë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në Pejë, ku një 39-vjeçare ka raportuar në Polici se është dhunuar seksualisht nga ish i dashuri i saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur të premten pas mesnate, kur i dyshuari i kishte shkuar te banesa dhe fillimisht kanë pasur një konflikt vetbal.
Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari ka eskaluar duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj e më pas edhe e ka dhunuar, duke kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta arrestuar të njëjtin, por akoma nuk kanë arritur ta kapin.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’, kurse veprimet e tjera do të merren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit.